Enj. Nën 19th, 2026

“Më ka vrarë në shpirt” – Ali Ahmeti shpërthen ndaj Kurtit, ia kujton nënën e dëshmorit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për deklaratën e tij se gjuha shqipe nuk ka qenë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti ka thënë se është lënduar thellësisht nga ky qëndrim, duke e akuzuar Kurtin se ka dalë në krah të kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski.

“Goxha keq kryeministri juaj më ka goditë në shpirt. Po pse më goditi aq shumë në shpirt?”, ka deklaruar Ahmeti.

Për të shpjeguar revoltën e tij, Ahmeti ka kujtuar një moment emocional pranë varrit të dëshmorit Afrim Kalanica në Sllupçan, ku kishte parë nënën e tij duke qarë.

“Kur nëna e Afrim Kalanicës m’u kujtua ulë te varri që është tek dëshmorët e Sllupçanit. Afrim Kalani… asnjë nënë që janë vra këtu djem që kanë derdhë gjak, nuk i kanë marrë andej, të gjithë i kanë pranë shokëve të vet, këtu. Dhe lotët i binin te guri i varrit. Për çka u vra Afrim Kalanica? A me dalë kryeministri juaj me thënë që gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare? Turp!”, ka thënë ai.

Ahmeti ka akuzuar Kurtin se me deklaratën e tij i ka shërbyer qëndrimit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

“Del krah Kristijan Mickovskit dhe thotë: gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare. Tri herë kam kërkuar publikisht të prononcohet: a është keq i informuar prej… informacionet dhe informatorët që i ka, apo shqiptarët që i ka? Nuk e ka bërë”, tha Ahmeti.

Sipas tij, deklarata e Kurtit është shfrytëzuar për një muaj në ekranet televizive në Maqedoninë e Veriut.

“Krah Kristijan Mickovskit dhe del… Një muaj ditë, nuk e kanë hequr nga ekranet televizive: „Ja deklarata e kryeministrit të Kosovës: gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare në Maqedoni”, shtoi ai.

Ahmeti ka theksuar se ky qëndrim ka shkaktuar lëndim të thellë edhe te ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

“Kjo më ka vrarë shpirtërisht. Kjo ka vrarë shpirtërisht çdo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, edhe pjesëtarët që i ka në Kosovë; mbi tre mijë ushtarë ka UÇK-ja në Kosovë, Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, ceku ai.

Çfarë kishte deklaruar Kurti për gjuhën shqipe?

Deklarata që ka nxitur reagimin e Ahmetit ishte bërë më 18 nëntor 2024, gjatë konferencës së përbashkët për media në Prishtinë mes kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski.

Kurti kishte deklaruar se në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston ligj i veçantë për përdorimin e gjuhës shqipe, por Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili i referohet pragut prej 20% të popullsisë.

“Në Maqedoni të Veriut nuk mund të thuhet se gjuha shqipe ka qenë zyrtare dhe tash po rrezikohet. Kjo nuk është e vërtet”, kishte thënë Kurti.

Kjo deklaratë kishte nxitur reagime nga BDI-ja, e cila kishte kundërshtuar interpretimin e Kurtit për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Postime të Ngjashme