Mar. Tet 6th, 2026

“Jo në emrin tim” thërret qytetarët në protestë para Kuvendit në orën 8:00

Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka bërë të ditur se protestuesit do ta kalojnë gjithë natën në shesh, ndërsa ka ftuar qytetarët që t’u bashkohen nesër, më 5 tetor, nga ora 08:00, para Kuvendit të Kosovës.
Thirrja vjen në natën e 19-të të protestës, ndërsa para seancës së Kuvendit pritet të shqyrtohet projektligji që mbron Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Haziri tha se ende nuk është arritur marrëveshje për votimin e ligjit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të protestuesve.
“Sonte do ta kalojmë natën këtu, në shesh! Ne do të qëndrojmë jashtë, të bashkuar, për të pritur zbardhjen e ditës dhe për t’i pritur nesër sy më sy deputetët që do të hyjnë në seancën e Kuvendit”, deklaroi ai.
Haziri theksoi se protestuesit nuk do të tërhiqen nga kërkesa për miratimin e ligjit. Ai kritikoi edhe kushtëzimin e kësaj çështjeje me marrëveshje për poste institucionale, duke e cilësuar një qasje të tillë si të papranueshme dhe fyese.
Sipas tij, UÇK-ja përbën themelin e shtetit të Kosovës dhe duhet të jetë faktor bashkues për të gjithë, pa dallime partiake.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestuesve gjatë natës dhe të mblidhen nesër, më 5 tetor, nga ora 08:00 para Kuvendit.
Ndërkohë, protesta masive është paralajmëruar për orën 08:30, para fillimit të seancës së Kuvendit.
“Ejani sonte! Ejani nesër në 08:00! Të bëhemi një zë e një grusht, në mbrojtje të vlerave të luftës dhe dinjitetit tonë kombëtar”, përfundoi Haziri.

Postime të Ngjashme