Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar u.d. Presidenten e Republikës së Kosovës Sh.S.Znj. Albulena Haxhiu, me ç’rast e informoi në lidhje me proceset nëpër të cilat po kalon FSK-ja, të arriturat e saj dhe rrugën përpara.
Sipas komunikatës, ata diskutuan për planifikimet e FSK-së, duke përfshirë fazën aktuale të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit (PGJT), procesin e planifikimit afatgjatë të zhvillimit si dhe sfidat aktuale të Forcës.
“Për më tepër u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në operacione ndërkombëtare jashtë vendit, e cila e shndërron Republikën tonë në një eksportues të sigurisë në konflikte të ndryshme globale”, thuhet po aty.
Në anën tjetër u.d. Presidentja Haxhiu e përgëzoi Gjeneral Jasharin për të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe për rezultatet e treguara në sfera dhe aktivitete të ndryshme në të cilat FSK ka qenë pjesëmarrëse.
Bëhet e ditur se në fund të takimit, palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën e zhvillimit dhe avancimit të FSK-së në forcë moderne, profesionale në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

