Mër. Maj 20th, 2026

Shpërthimi i fruthit në Kosovë, flasin nga Klinika Infektive për situatën

Aktualisht, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë duke u trajtuar pesë pacientë të diagnostikuar me morbila (fruthi).

Drejtoresha e Klinikës Infektive, dr. Vera Berisha-Ndrejaj, ka bërë të ditur se të gjithë pacientët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe se gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Sipas saj, dy prej pacientëve pritet të lirohen gjatë ditës së sotme, pasi janë në gjendje të mirë klinike.

“Për momentin pesë pacientë janë në klinikë me morbilë. Dy prej tyre sot mund të lirohen në gjendje të mirë. Gjendja e dy të shtrirëve është në përputhje me ecurinë e sëmundjes, me karakteristika tipike për morbilë. Ata vazhdojnë të marrin terapi sipas gjendjes, por janë stabil”, ka deklaruar dr. Berisha-Ndrejaj në një prononcim për IndeksOnline.

Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve, duke theksuar rëndësinë e imunizimit si mënyra më efektive për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

“Të vaksinohen fëmijët, të ruajnë shëndetin e tyre dhe të të tjerëve përreth. Vaksina nuk është e dëmshme, ndërkohë që sëmundja mund të ketë rreziqe dhe fatalitet,” është shprehur ajo.

Sipas saj, vaksinimi mbetet masa kryesore parandaluese ndaj fruthit, i cili mund të sjellë komplikime serioze, sidomos te fëmijët e pavaksinuar.

Postime të Ngjashme