Mër. Gus 5th, 2026

Haradinaj: Rezultati zgjedhor kërkon bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve parlamentare nuk i ka dhënë asnjë partie të drejtën për të qeverisur e vetme, duke theksuar se krijimi i institucioneve duhet të bazohet në bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës, raporton Ekonomia Online.

Duke komentuar mosarritjen e një marrëveshjeje në takimet e fundit, Haradinaj tha se verdikti i qytetarëve kërkon ndarje të përgjegjësive në procesin e vendimmarrjes.

“Qytetari ka votuar, populli ka votuar, sot jemi deputetë të zgjedhur. Ky rezultat kërkon bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët. Nuk i ka dhënë një shumicë të duhur partisë fituese dhe, kuptohet, për të arritur në krijimin e institucioneve kërkohet vendimmarrje e përbashkët”, tha ai.

Sipas Haradinajt, deri më tani nuk është ofruar një model i bashkëvendimmarrjes, por vetëm një ftesë që opozita të bëhet pjesë e qeverisë.

“Ajo që kemi parë deri tani është një pozicion i tillë që nuk ofron bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët, por i është ofruar opozitës për përfitimin e pushtetit, pra me i dhënë përfitime ose pjesëmarrje në pushtet. Kjo nuk e reflekton rezultatin. Dallimi mes numrit të deputetëve, të shqiptarëve po flas, të pozitës dhe opozitës nuk është aq i madh sa që vetëm fituesi i zgjedhjeve të mbajë vendimmarrjet”, tha ai.

Ai shtoi se rezultati zgjedhor duhet të lexohet si nevojë për ndarje të përgjegjësive institucionale.

“Për me e thjeshtuar edhe më shumë, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri që është posti kryesor sepse udhëheq qeverinë, ekzekutivin, dhe presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës. Ai që ka fituar zgjedhjet, nëse ka logjikë demokratike, e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve”, tha ai.

Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po synon të mbajë të gjithë pushtetin vendimmarrës.

“Nëse ka logjikë regjimi, e që në fakt kjo logjikë po ndodh me Kurtin, ai nuk dëshiron vendimmarrje të përbashkët ose ndarje të vendimmarrjes. Kurti po i kërkon të gjitha situatat ose pozitat ose institucionet vendimmarrëse për vete dhe në njëfarë mënyre po synon me e poshtruar opozitën duke i ofruar vetëm përfitime të pushtetit, pra vetëm pjesëmarrje në qeverisje. Kjo nuk është ashtu siç ka vendosur qytetari. Është logjikë e regjimit. E këtë udhëheqësit e regjimeve totalitare të frikësohen nga bashkëvendimmarrja ose nga ndarja e vendimmarrjes”, tha ai.

Ai theksoi se opozita mund të kontribuojë në krijimin e institucioneve vetëm nëse është pjesë e vendimmarrjes.

“Unë mendoj që opozita mundet me ndihmuar në krijimin e institucioneve, por kuptohet duhet të ketë bashkëvendimmarrje, jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv që nënkupton pra vetëm përfitime për pushtet”, tha ai.

Postime të Ngjashme