Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër ndaj shkarkimit të Kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj, duke e cilësuar atë si një nga veprimet më të gabuara të pushtetit.
Gjini ka deklaruar se Kosova ka bërë një hap të madh drejt totalitarizmit dhe ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke e akuzuar atë për mbrojtje të njerëzve që, sipas tij, duhet të përballen me drejtësinë.
Ai ka thënë se qytetarët do ta rikthejnë qeverisjen demokratike, përgjegjësinë institucionale dhe sundimin e ligjit, ndërsa ka paralajmëruar se kjo mënyrë e qeverisjes do të ketë kosto për qytetarët.
Ky është postimi i plotë i tij:
Shkarkimi i Kryeprokurorit të Speciales është një ndër veprimet më të gabuara të këtij regjimi!
Kosova bëri edhe një hap të madh drejt totalitarizmit.
Tashmë, për herë të parë që prej kohës së komunizmit, Kosova qeveriset nga një kastë me tipare të pastra të një regjimi totalitar.
Nga slogani “hajnat në burg“ përfundoi te “hajnat nën mburojën e pushtetit“.
Kosova ka mjaftueshëm njerëz të ditur dhe patriotë. Populli i Kosovës do ta rikthejë qeverisjen demokratike e të përgjegjshme dhe do ta rivendosë sundimin e ligjit.
Por kjo duhet të ndodhë shpejt. Koston e kësaj mënyre të qeverisjes për një kohë do ta paguajnë qytetarët tanë.
Por kjo kastë do të përfundojë keq, pashmangshëm.

