Hën. Gus 31st, 2026

Hamza për ujdinë e LVV dhe LDK: S’e di a do t’i kenë numrat – s’ka votë për të në PDK

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për marrëveshjen e arritur sot në mes VV-së dhe LDK-së që kandidati për president të jetë Bekim Sejdiu, duke thënë se “nuk e di a do t’i kenë numrat”.

Hamza tha se VV-ja e LDK-ja matematikisht i kanë numrat për Sejdiun, por se a do të qëndrojnë të gjithë deputetët e tyre në sallë për këtë emër, është çështje e këtyre dy partive.

“Ata kanë negociuar që disa muaj. Kanë arritur marrëveshje, nuk e di a do t’i kenë numrat, matematikisht i kanë, por me qenë të gjithë prezentë dhe të votojnë është çështje e këtyre dy subjekteve. Nuk kemi ndonjë qëndrim (për kandidatin për president) për shkak se nuk është propozim i yni. E njohim z. Sejdiu, e njohim edhe angazhimin e tij në të kaluarën, kështu që nuk është figurë e panjohur për neve. Ata kanë negociuar, ka negociuar VV-ja me LDK-në dhe ne kemi deklaruar pozicionin tonë, pozicioni ynë ka qenë i qartë. Kemi fol për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, nuk ka qenë në tavolinë kjo temë dhe kemi deklaruar se ne qëndrojmë në opozitë dhe do ta luajmë rolin tonë si parti politike në opozitë përbrenda kuvendit dhe normalisht se do të kemi edhe kritika edhe qëndrime të caktuara në raport me veprime të caktuara por do të kemi edhe alternativa dhe do të kemi edhe përkrahje për të gjitha iniciativat që janë në dobi dhe në interes të vendit tonë”, tha Hamza.

Ai po ashtu foli edhe për mundësinë e “rrjedhjes” së ndonjë vote për Sejdiun nga Grupi Parlamentar i PDK-së, duke thënë se nuk pret që të ketë devijime nga qëndrimet e partisë.

Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.

Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar aksionet politike për të kërkuar mbajtjen e seancës konstituive.

Postime të Ngjashme