Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e rëndë të vrasjes së një gruaje, që ndodhi të dielën mbrëma në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje. Viktima ishte shoqëruar në stacion policor, ku ishte intervistuar. Po ashtu, ishte arrestuar dhe intervistuar edhe bashkëshorti i saj, ndaj të cilit ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Pas përfundimit të intervistimit, gruaja ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë, me vullnetin e saj.
Dy orë më vonë, rreth orës 21:10, Policia kishte pranuar informacion se gruaja ishte gjetur pa shenja jete. Njësitë përkatëse policore kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipin mjekësor, i cili kishte konstatuar vdekjen e saj.
Në lidhje me rrethanat e vdekjes, Policia ka bërë të ditur:
“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë”.
Ndërkohë, lidhur me rastin e dytë, personi i dyshuar, i cili dyshohet të jetë kunati i viktimës, ndodhet në arrati.
Për ngjarjen është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Policia ka bërë të ditur se po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

