Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit në Universitetin e Prishtinës ka hapur vitin e ri akademik, me pritjen e studentëve të rinj dhe mesazhin se sporti nuk është vetëm aktivitet fizik, por edhe shkencë, profesion dhe një prej mënyrave më të fuqishme për përfaqësimin e Kosovës.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, vlerësoi rolin që ka FEFS-i në përgatitjen e profesionistëve të sportit, duke veçuar edhe sukseset e sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
“Ju them publikisht e me krenari të madhe që ndër ambasadorët më të mirë të këtij vendi, të kësaj republike tonë me traditë të gjatë e me shtetësi të re, janë sportistët. Në mënyrë të dëshmuar”, tha Hajrullahu.
Ndërkaq, dekani i FEFS-it, Florian Miftari, u bëri thirrje studentëve të rinj që studimet t’i shohin si fillimin e një rrugëtimi që duhet t’i çojë drejt dijes, profesionit dhe suksesit në sport.
“Ju nuk keni ardhur këtu rastësisht. Ju keni ardhur diku nga një fushë me baltë, nga një sallë e vogël me sporte, që sporti juve ju ka dhuruar diçka që askush nuk mund t’ju merr dot. Ndjenjën se jeni të gjallë. Sot atë ndjenjë sillni këtu ku ajo duhet të kthehet në dije, në profesion dhe në jetë”, u shpreh Miftari.
Gjatë ceremonisë u theksua edhe rëndësia e hulumtimit shkencor dhe e Institutit të Shkencave të Sportit, përmes të cilit studentët do të kenë mundësi të avancojnë njohuritë e tyre në monitorimin dhe testimin e sportistëve.
FEFS-i ofron për studentët kombinimin e teorisë dhe praktikës, përfshirë sportet ekipore dhe individuale, ndërsa synimi i institucionit është përgatitja e gjeneratave të reja të trajnerëve, mësimdhënësve, studiuesve dhe profesionistëve të sportit.

