Mar. Sht 15th, 2026

PDK-ja e çon edhe qeverinë “Kurti” në Kushtetuese: Do ta sfidojmë çdo vendim

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar edhe sot Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, kanë dorëzuar në Kushtetuese, kërkesën për kontestimin e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Tahiri tha se me kërkesën e sotme synohet trajtimi i çështjes së votimit të qeverisë, ndërsa paralajmëroi se PDK-ja do ta kundërshtojë çdo vendim që del nga kuvendi.

“Sot deponuam kërkesën për ta trajtuar çështjen e votimit të qeverisë. Ky kuvend pa legjitimitet duhet t’i nënshtrohet masës. Çdo vendim që del nga ky kuvend i pakonstituuar do ta sfidojmë në Gjykatën Kushtetuese. Është e domosdoshme që vendi të kthehet në binarët e kushtetutshmërisë”, deklaroi Tahiri.

Ndërkaq, deputeti Përparim Gruda tha se PDK-ja ka kontestuar vendimin për zgjedhjen e qeverisë, pasi vlerëson se ai është marrë nga një kuvend që, sipas tyre, nuk është konstituuar në mënyrë kushtetuese.

“Sot e kontestuam zgjedhjen e qeverisë. Argumentet tona janë profesionale dhe besojmë se do të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese. Ne e respektojmë pavarësinë e gjykatës dhe tani gjithçka mbetet në dorën e saj për t’i sqaruar shkeljet dhe për ta rikthyer kushtetutshmërinë në institucione”, tha Gruda.

Postime të Ngjashme