Sot në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, e cila synon të promovojë parimet demokratike dhe të nxisë forcimin e institucioneve që garantojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën publike.
Pesëmbëdhjetë shtatori është shpallur Ditë Ndërkombëtare e Demokracisë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007.
Përmes rezolutës së miratuar, Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje qeverive që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë.
Kjo ditë shërben gjithashtu për të rikujtuar rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore, sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë shënohet në vende të ndryshme të botës me aktivitete, diskutime dhe iniciativa që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e demokracisë dhe mbrojtjen e vlerave të saj.
Kombet e Bashkuara e konsiderojnë demokracinë një proces që kërkon pjesëmarrjen e vazhdueshme të qytetarëve, institucione të përgjegjshme dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

