Pre. Nën 6th, 2026

Dukagjini dhe Llapi përballen sot në Klinë

Dukagjini dhe Llapi do të përballen sot në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll, në një ndeshje ku dy skuadrat kanë objektiva të ndryshëm, por nevojë të madhe për pikë.

Takimi do të zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me fillim nga ora 17:00.

Dukagjini hyn në këtë përballje nga pozita e gjashtë me 18 pikë të grumbulluara në 12 ndeshje, ndërsa Llapi ka vetëm pesë pikë dhe gjendet në pjesën e poshtme të tabelës.

Skuadra klinase ka regjistruar katër fitore, gjashtë barazime dhe dy humbje, duke shënuar 11 gola dhe duke pranuar 10. Në gjashtë ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, Dukagjini ka marrë tri fitore, dy barazime dhe një humbje.

Megjithatë, vendasit nuk kanë fituar në tri ndeshjet e fundit kampionale. Në pesë përballjet e fundit kanë regjistruar vetëm një fitore, tri barazime dhe një humbje.

Në anën tjetër, Llapi po kalon një periudhë shumë të vështirë. Skuadra nga Podujeva ka vetëm një fitore, dy barazime dhe nëntë humbje këtë edicion, me 10 gola të shënuar dhe 26 të pranuar.

Llapjanët nuk kanë arritur të fitojnë në pesë ndeshjet e fundit, ku kanë marrë dy barazime dhe kanë pësuar tri humbje. Gjithashtu, ata kanë dështuar të shënojnë gol në shtatë nga 12 ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

Një fitore eventuale sot do t’i mundësonte Dukagjinit të ngjitej në kuotën e 21 pikëve, ndërsa Llapi synon të marrë pikë të rëndësishme për të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet.

Postime të Ngjashme