Pre. Nën 6th, 2026

“15 vjet shteti nuk arriti ta ndalonte vrasësin” – nëna e Diana Kastratit me mesazh emocional për vajzën e ndjerë

Makfire Kastrati ka kujtuar vajzën e saj, Diana Kastratin, duke shprehur dhimbjen dhe zhgënjimin ndaj institucioneve për mosmbrojtjen e saj.

Në një postim në Facebook, Kastrati ka shkruar se kanë kaluar 15 vjet, 6 muaj e 12 ditë pa vajzën e saj, ndërsa ka kritikuar institucionet për mosveprimet që, sipas saj, i paraprinë vrasjes.

Ajo ka deklaruar se Diana kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, por institucionet përgjegjëse nuk kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta mbrojtur.

“15 vjet nuk u bë e mundur ta ndalonte vrasësin shteti”, ka shkruar Kastrati, duke ngritur pyetjen se ku ishin institucionet kur vajza e saj kishte nevojë për mbrojtje.

Nëna e Dianës ka shprehur zhgënjimin e saj edhe për mungesën e përgjegjësisë institucionale, duke theksuar se, sipas saj, nuk është bërë mjaftueshëm për rastin e vajzës.

Ajo e ka përmbyllur reagimin me një mesazh emocional kushtuar Dianës.

“Emri yt nuk harrohet kurrë, zemra e nënës, Diana, derisa të më mbulojë dheu i zi”, ka shkruar Makfire Kastrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë  me 3 nëntor ngriti aktakuzë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, 15 vjet pasi ajo u vra me armë zjarri në Prishtinë.

Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar me armë zjarri në qafë, ndërsa i dyshuar për vrasjen ishte ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.

Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me A.J., për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013.

Pas paraqitjes së padisë, ajo ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.

Më 26 prill të atij viti, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente.

Sipas ligjit në fuqi, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve.

Por, kërkesa mbeti pa përgjigje. Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.

Mosveprimi i gjykatës u bë më pas objekt i një beteje të gjatë ligjore, të nisur nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati.

 

Postime të Ngjashme