Pentagoni ka publikuar grupin e shtatë të dosjeve të deklasifikuara që lidhen me Fenomene Anomalie të Paidentifikuara (UAP), të njohura si UFO.
Shtëpia e Bardhë e njoftoi këtë valë të re zbulimesh me mesazhin: “Publikim i ri për UFO-t”. Pentagoni thekson se këto dokumente nuk përbëjnë prova për mjete fluturuese jashtëtokësore, disa raste mbeten të pazgjidhura, ndërsa për të tjera janë ofruar shpjegime konvencionale.
Incidenti më i fundit ndodhi në qershor të këtij viti, në një vendndodhje të paspecifikuar në perëndim të SHBA-së, e cila lidhet me sigurinë kombëtare.
Dy agjentë federalë përshkruan një objekt trekëndësh, me ngjyrë të zezë mat, i cili u ngjit pothuajse vertikalisht mbi një kreshtë, ndaloi dhe qëndroi pezull, e më pas u largua me shpejtësi të madhe drejt një kanioni.
Ata raportuan se nuk dëgjuan asnjë zhurmë motori, helikash apo lëvizjeje ajri, si dhe nuk vunë re asnjë sistem shkarkimi, dritare apo kabinë pilotimi. Zyra AARO e Pentagonit arriti në përfundimin se rasti kërkon hetime të mëtejshme, por nuk përcaktoi se për çfarë lloj objekti bëhej fjalë.
Dokumentet e reja përfshijnë një raport të Forcave Ajrore të SHBA-së të vitit 1957. Ekuipazhi i një bombarduesi B-52, që fluturonte mbi Arabinë Saudite, diktoi një objekt të paidentifikuar në radar dhe e gjurmoi atë për pesë deri në shtatë minuta.
Në raport thuhet se sinjali i radarit ishte më i vogël se ai i prodhuar nga një tjetër avion B-52 që ndodhej në të njëjtën zonë. Nuk u ofrua asnjë shpjegim përfundimtar.
Gjithashtu u publikuan katër dokumente në lidhje me vëzhgime pranë ishullit Santa Catalina, Kaliforni, midis viteve 1949 dhe 1955. Në vitin 1949, tre vëzhgues përshkruan një objekt në ngjyrë argjendi, i cili lëvizte më shpejt se avionët reaktivë të asaj epoke dhe nuk lëshonte asnjë zhurmë.
Në vitin 1953, një dëshmitar tjetër raportoi për një objekt të rrumbullakët, me ngjyrë vjollcë dhe të bardhë, i cili dyshohet se qëndroi pezull mbi Catalina për rreth dhjetë minuta. Lidhur me një incident të vitit 1955, Forcat Ajrore të SHBA-së vlerësuan se, me gjasë, bëhej fjalë për një meteor.
Ndër dokumentet më të pazakonta është një raport i vitit 2010 mbi hetimin e një ferme në Utah, të kryer nga kompania “Bigelow Aerospace Advanced Space Studies” për komunitetin e inteligjencës së mbrojtjes të SHBA-së.
Dëshmitarët raportuan se panë sfera që shkëlqenin, krijesa të mëdha të ngjashme me ujqërit, të ashtuquajturat “Skinwalker”, të cilat dyshohet se lëviznin mbi dy këmbë, krijesa më të vogla me qime, si dhe mjete fluturuese të paidentifikuara.
Një burrë pohoi se një sferë e kuqe që shkëlqente iu afrua fytyrës së tij në një distancë prej pak centimetrash, pas kësaj, ai ndjeu nxehtësi, zhurmë në veshë dhe mpirje të përkohshme.
Hetuesit instaluan kamera, matën sinjalet elektromagnetike dhe mblodhën mostra flokësh. Analiza e disa prej këtyre mostrave zbuloi ADN mitokondriale të qenve, çka tregon se të paktën disa nga gjurmët e pazakonta kishin një origjinë krejtësisht të zakonshme.
Ndër materialet e publikuara gjenden dokumente të viteve 1960, të cilat përcaktojnë se si duhet të veprojnë institucionet amerikane në rast se zbulojnë mbetje të mjeteve fluturuese amerikane ose të huaja.
Ndonëse dokumente të tilla mund të duken sikur kanë të bëjnë me “UFO të rrëzuara”, në fakt ato lidhen me mjete fluturuese dhe me garën hapësinore të epokës së Luftës së Ftohtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, dhe jo me zbulimin e konfirmuar të teknologjisë jashtëtokësore.

