Aleanca ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Kryesisë ka trajtuar organizimin dhe funksionimin e degëve të saj nëpër komunat e Kosovës.
Sipas njoftimit, Kryesia e partisë ka formuar Komisionin për përgatitjen, organizimin dhe koordinimin e zgjedhjeve të brendshme në degët ku ende nuk janë mbajtur kuvendet zgjedhore, transmeton IndeksOnline.
Nga Aleanca kanë thënë se konsolidimi i strukturave të partisë është i domosdoshëm dhe se proceset e brendshme lidhen drejtpërdrejt me zhvillimet politike në vend.
“Sot, qytetarët e Kosovës po jetojnë në epokën e mashtrimit të madh, po përballet me një krizë serioze politike dhe me një depresion të thellë ekonomik. Ndërmarrjet tona vendore po shkojnë drejt mbylljes për shkak të politikave të gabuara të këtij pushteti.
Për më tepër, jemi dëshmitarë të një shkeljeje brutale të rendit kushtetues dhe të demokracisë, ku në mënyrën më të paligjshme po bllokohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke u mohuar 120 deputetëve të zgjedhur nga populli të marrin mandatin e tyre” deklaron Aleanca.
Ky është njoftimi i plotë i partisë:
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Aleancës, së bashku me kolegët trajtuam aspektet kryesore të organizimit dhe funksionimit të degëve tona nëpër komunat e Kosovës.
Me qëllim të funksionalizimit të plotë të të gjitha strukturave tona statutare, sot formuam Komisionin për përgatitjen, organizimin dhe koordinimin e zgjedhjeve të brendshme në ato degë ku ende nuk janë mbajtur kuvendet zgjedhore.
Konsolidimi i brendshëm është i domosdoshëm, sepse organizimi ynë nuk mund të shihet i ndarë nga zhvillimet politike në vend.
Sot, qytetarët e Kosovës po jetojnë në epokën e mashtrimit të madh, po përballet me një krizë serioze politike dhe me një depresion të thellë ekonomik. Ndërmarrjet tona vendore po shkojnë drejt mbylljes për shkak të politikave të gabuara të këtij pushteti.
Për më tepër, jemi dëshmitarë të një shkeljeje brutale të rendit kushtetues dhe të demokracisë, ku në mënyrën më të paligjshme po bllokohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke u mohuar 120 deputetëve të zgjedhur nga populli të marrin mandatin e tyre.
Sado që nga ne dhe partitë e tjera po hapen dyer për të dalë nga kjo krizë, uzurpatorët e pushtetit aktual po duan t’i mbajnë ato të mbyllura, duke zgjedhur vetëm mashtrimin e opinionit publik.
Ne jemi të vendosur të vazhdojmë punën në terren, të forcojmë strukturat tona dhe të ofrojmë rrugëdaljen e duhur për vendin.
Po bëhemi gati për proceset që na presin.

