Enj. Gus 13th, 2026

Albulena Haxhiume kritika ndaj PDK

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kritikuar qasjen e PDK-së ndaj stafit të kuvendit, duke kërkuar nga ta që të mos përfshijnë stafin në përplasje.

Përmes një reagimi, ajo ka adresuar pretendimet e PDK-së se kinse stafi po i shërben partisë së mazhorancës,
“Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, shkroi Haxhiu, në Facebook.

Ky është postimi i plotë i saj:

Mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike.

Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale.

Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre.

Stafi i kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë.

Këtë sjellje e dënoj publikisht dhe kërkoj që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të kuvendit.

Postime të Ngjashme