Mar. Gus 25th, 2026

Aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh, dyshohet se shantazhoi një person për mbi 13 mijë euro

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas aktakuzës, Fatmir Sheholli dyshohet se, nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA), duke ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi dhe duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.

Ai akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Fatmir Sheholli akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, dyshohet se ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13 mijë euro.

Sipas aktakuzës, Sheholli i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media videoincizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e tij.

Rasti i është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa Fatmir Sheholli ndodhet nën masën e paraburgimit.

Postime të Ngjashme