Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti pas pezullimit të dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai e konsideron këtë zhvillim shqetësues dhe vlerëson se ndikimi i tij mund të jetë i thellë për Kosovën në rrafshin diplomatik, politik dhe ekonomik.
Quni tha se deklarata e Kurtit, se “nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, tregon natyrën e ndërlikuar të marrëdhënieve Kosovë-SHBA.
“Historikisht, kjo marrëdhënie ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe Kosova e ka konsideruar veten një aleate të palëkundur të SHBA-së”, ka thënë ai për IndeksOnline.
Ai shton se SHBA-të, si një prej faktorëve kyç në rajon, kanë interes për stabilitet dhe zgjidhje të shpejtë të çështjeve të hapura.
“Kur vlerësojnë se veprimet e një pale po pengojnë këtë proces, ata mund të ndërmarrin hapa si pezullimi i Dialogut Strategjik”, theksoi ai.
“Pezullimi i dialogut nga ana e SHBA-së, edhe pse Kurti e quan një ‘dallim’, mund të ketë pasoja të rëndësishme për Kosovën. Këto pasoja mund të jenë të menjëhershme dhe afatgjata”, vlerëson Quni.
Sipas tij, mungesa e përkrahjes së plotë amerikane në procesin e dialogut e dobëson pozitën e Kosovës.
“Humbja e mbështetjes së plotë nga SHBA-ja në dialogun me Serbinë mund të dëmtojë pozicionin negociues të Kosovës. SHBA ka qenë një garantues kyç i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, prandaj çdo dobësim i kësaj mbështetjeje mund të inkurajojë Serbinë të ndjekë një qasje më të ashpër ose të bllokojë procesin”.
Ai shton se qëndrimet e SHBA-së shpesh ndikojnë edhe në vendimet e Bashkimit Evropian.
“Veprimet e SHBA-së shpesh ndiqen nga aleatë të tjerë perëndimorë, si Bashkimi Evropian. Nëse SHBA-ja merr një qëndrim të ashpër, ka mundësi që edhe BE-ja të forcojë presionin, duke vënë në rrezik aspiratat e Kosovës për integrim evropian”.
Quni përmend edhe ndikimin ekonomik të kësaj situate.
“Investimet e huaja dhe ndihma financiare shpesh varen nga stabiliteti politik. Një situatë me tensione diplomatike me partnerë kyç si SHBA-ja mund të ulë besimin e investitorëve dhe të ndikojë negativisht në ekonomi”.
Sipas tij, përplasjet me aleatët mund të krijojnë ndarje të brendshme dhe ta dëmtojnë imazhin e qeverisë.
“Çdo përplasje me SHBA-në mund të krijojë një ndarje të brendshme politike dhe të dëmtojë imazhin e qeverisë në sytë e publikut, i cili tradicionalisht ka një besim të lartë te SHBA-ja”.
Edhe pse Quni e sheh si përpjekje për ulje të tensionit deklaratën e Kurtit, ai thotë se faktet flasin ndryshe.
“Megjithëse deklarata e z. Kurti synon të zbusë tensionet, fakti i pezullimit të dialogut nga SHBA-ja është një sinjal i qartë i pakënaqësisë. Është e pamundur që ky akt të mos ketë pasoja. Nëse z. Kurti mban një qëndrim të palëkundur, rreziku i pasojave negative rritet ndjeshëm.”
Quni thekson se Kosova nuk duhet ta rrezikojë marrëdhënien me aleatin kryesor.
“Prandaj, po, është shumë e mundshme që Kosova si shtet të përballet me pasoja pas këtij vendimi, pasi marrëdhënia me SHBA-në është një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit”.