Mër. Nën 11th, 2026

Gjukanoviq: Ndërrimi i pushtetit në Serbi nuk mjafton

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk do të ketë rëndësi nëse nuk shoqërohet me ndryshimin e politikës ndaj Kosovës dhe vendeve të rajonit.

Gjatë një aktiviteti në Cetinë, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi, Gjukanoviq tha se qëndrimi i Beogradit ndaj Kosovës do të jetë tregues vendimtar për orientimin e ardhshëm të Serbisë.

“Çështja e qëndrimit ndaj Kosovës do të japë përgjigjen nëse Serbia do të shikojë drejt së ardhmes apo do të gërmojë në të kaluarën”, deklaroi ai.

Sipas ish-presidentit malazez, ndryshimet e mundshme politike në Serbi nuk duhet të krijojnë pritshmëri të mëdha nëse vazhdon qasja aktuale ndaj rajonit.

“Pyetja e parë është nëse Serbia do të ketë qeveri të Serbisë apo qeveri të serbëve në rajon. Nëse është kjo e dyta, atëherë politika e Vuçiqit do të vazhdojë”, tha Gjukanoviq.

Ai theksoi se duhet bërë dallimi ndërmjet ndryshimit të qeverisë dhe ndryshimit të politikës shtetërore, raporton RTCG.

“Nëse është ndryshim i regjimit, nuk ka ndonjë dobi të madhe. Nëse është ndryshim i politikës, atëherë është në rregull”, u shpreh ai.

Duke folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Gjukanoviq paralajmëroi për pasojat e politikave agresive dhe të përdorimit të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai kritikoi edhe zhvillimet politike në Mal të Zi gjatë 6 viteve të fundit, duke vlerësuar se vendi ka përjetuar stagnim dhe regres në sektorë të rëndësishëm.

Sipas tij, përparimi drejt Bashkimit Evropian nuk duhet të përdoret për të mbuluar problemet e brendshme institucionale.

Në aktivitet mori pjesë edhe ish-emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, i cili deklaroi se Mali i Zi është afër anëtarësimit në BE, por se ky proces kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura me Kroacinë.

Postime të Ngjashme