Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës, ndërsa në vend të tij përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar Betim Fazliji.
Kjo situatë e vështirëson edhe më shumë organizimin e repartit defensiv të Dardanëve, pasi në këtë grumbullim mungon edhe Albian Hajdari, i cili vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të një lëndimi afatgjatë.
Në mungesë të dy mbrojtësve të rëndësishëm, Foda do të duhet të eksperimentojë me një treshe të re në qendër të mbrojtjes për ndeshjet ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Në sistemin 3-4-3, të cilin përzgjedhësi gjerman e ka përdorur vazhdimisht, pritet që në krahët e mbrojtjes të luajnë Mërgim Vojvoda në të djathtë dhe Dion Gallapeni në të majtë.
Franco Foda, përzgjedhës i Kosovës telegrafi.com
Rikthimi i Hajrizit, një lajm pozitiv për Fodën – partner me Krasniqin dhe Raçin
Një lajm pozitiv për Kosovën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit, i cili mungoi në katër ndeshjet e muajit tetor për shkak të lëndimit.
Sa herë që ka pasur mundësinë të luajë për Dardanët, mbrojtësi i Sionit, Hajrizi ka treguar paraqitje të mira dhe ka qenë në nivelin e kërkuar, ndaj rikthimi i tij mund të jetë një përforcim i rëndësishëm për repartin defensiv.
“Rikthimi im është një kënaqësi e madhe. Shyqyr, tash nga lëndimi gjithçka ka shkuar mirë. Stërvitja ka shkuar shumë mirë. Po përgatitemi për ndeshjen dhe i gjithë ekipi ndihet shumë mirë. Atmosfera është e mirë. E veçanta është që luajmë në shtëpi, para tifozëve tanë, gjë që është gjithmonë më mirë për ne. Shpresojmë për një lojë të mirë dhe pozitive, me tri pikë”, ka deklaruar Hajrizi.
Njëra prej mundësive që ka në dispozicion Foda është që Hajrizi të luajë në krahun e djathtë të treshes, Ilir Krasniqi në qendër dhe Ron Raçi në të majtë. Ky kombinim do t’i jepte Kosovës një strukturë të re në prapavijë, por përzgjedhësi ka edhe alternativa të tjera.
Kreshnik Hajrizi, mbrojtësi i Kosovës telegrafi.com
Kurtulus dhe Kamberi, alternativa të reja në prapavijë
Në këtë grumbullim, për herë të parë janë ftuar edhe Bleon Kurtulus dhe Lindrit Kamberi, të cilët mund të ofrojnë zgjidhje shtesë.
Të dy kanë mundësi të luajnë në krahun e djathtë, por edhe në qendër të mbrojtjes në sistemin me tre futbollistë, duke i dhënë Fodës më shumë fleksibilitet në përzgjedhjen e formacionit.
Lindrit Kamberi është 27 vjeç dhe produkt i akademisë së FC Zurichut, ku është shndërruar në një futbollist të rëndësishëm dhe këtë sezon ka bartur edhe shiritin e kapitenit.
Lindrit Kamberi, mbrojtësi i Zurich telegrafi.com
Mund të luajë si qendërmbrojtës dhe në krahun e djathtë, ndërsa më parë ka përfaqësuar Zvicrën U19 dhe U20.
Në anën tjetër, Bleon Kurtulus, është mbrojtësi i Malmo FF-së dhe është një prej talenteve premtues të futbollit suedez.
Ka debutuar në elitë në moshën 16-vjeçare dhe ka përfaqësuar Suedinë në disa grupmosha, nga U16 deri te U21, me gjithsej 35 paraqitje.
Bleon Kurtulus, mbrojtësi i Malmo telegrafi.com
Megjithatë, Ilir Krasniqi pritet të jetë një prej pikave të palëvizshme në qendër të mbrojtjes. Ai ishte titullar në të katër ndeshjet e muajit tetor dhe në secilën prej tyre luajti nga 90 minuta, duke dëshmuar rëndësinë që ka në skemat e përzgjedhësit.
Përzgjedhësi Foda ka folur për përfshirjen e futbollistëve të rinj, si pjesë e strategjisë për të ruajtur cilësinë e Kombëtares dhe për t’u përgatitur për kualifikimet e ardhshme të Kampionatit Evropian.
“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, ka thënë Foda.
Fazliji, alternativë për disa pozicione
Një tjetër alternativë e vlefshme është Betim Fazliji, i cili mund të luajë në të gjitha pozicionet e mbrojtjes, por edhe si mesfushor defensiv.
Lojtari i St Gallen, vjen pas një periudhe të rëndë nga lëndimet, por këtë vit ka filluar ta merr formën që e kishte dikur.
Tri alternativat për mbrojtjen për ndeshjet me Izraelin dhe Irlandën
Me mungesat e Dellovës dhe Hajdarit, si dhe me rikthimin e Hajrizit dhe debutuesit e mundshëm Kurtulus e Kamberi, Foda ka disa kombinime në dispozicion, por mbetet të shihet se cilës treshe do t’i besojë në dy sfidat e rëndësishme të nëntorit.






