Prizreni bëhet nikoqir i garës Kosovë-Shqipëri në pingpong
Elita e pingpongut nga Kosova dhe Shqipëria do të mblidhet në Prizren më 21 dhe 22 nëntor, ku do të zhvillohet Kampionati Mbarëkombëtar Kosovë–Shqipëri 2026 për Senior.
Në këtë ngjarje sportive, klubet dhe lojtarët më të mirë nga të dyja vendet do të garojnë për titujt e kampionëve mbarëkombëtarë në konkurrencën ekipore dhe individuale.
Garat do të zhvillohen në hapësirat e Shkollës së Mesme të Ulët “Hysen Rexhepi” në Prizren.
Dita e parë, më 21 nëntor, do t’i kushtohet kampionatit ekipor, ku dy klubet më të mira nga Kosova dhe dy nga Shqipëria, në konkurrencën e meshkujve dhe vajzave, do të përballen sipas sistemit “Round Robin”, përkatësisht secili kundër secilit.
Ndërkaq, më 22 nëntor do të zhvillohet kampionati individual, në edicionin e tretë të tij. Në këtë garë do të marrin pjesë nga tetë lojtarët më të mirë të secilit shtet, në konkurrencën e meshkujve dhe vajzave të përzgjedhur sipas ranglistave aktuale.
Fillimisht, garuesit do të ndahen në katër grupe të përziera, ndërsa dy lojtarët më të mirë nga secili grup do të kualifikohen në fazën eliminatore, ku do të përcaktohen kampionët individualë.
Kampionati organizohet nga Federata e Pingpongut e Kosovës, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Ping Pongut dhe KPP Ponte Prizren.
KosovaPress

