Europoli ka publikuar fotografitë e 19 personave të kërkuar për vepra penale ndaj fëmijëve dhe të moshuarve.
Fushata “EU Most Wanted”, e nisur më 12 nëntor nga rrjeti evropian ENFAST me mbështetjen e Europolit, përfshin raste nga 14 shtete. Personat kërkohen për vepra që përfshijnë shfrytëzimin seksual të fëmijëve dhe mashtrimet ndaj të moshuarve.
Në listë ka si të dyshuar që kërkohen për t’u përballur me procedura penale, ashtu edhe persona të dënuar që i shmangen drejtësisë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve t’i shikojnë profilet në platformën zyrtare EU Most Wanted dhe të përcjellin çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tyre. Informacionet mund të dorëzohen në mënyrë anonime dhe u dërgohen drejtpërdrejt ekipeve kombëtare përgjegjëse.
Europoli këshillon qytetarët që të mos u afrohen personave të kërkuar dhe të mos tentojnë t’i ndalojnë vetë.
Që nga hapja e platformës më 2016, janë arrestuar 191 persona gjatë kohës kur profilet e tyre ishin të publikuara në të. Në 58 raste, informacionet e qytetarëve kanë ndihmuar në arrestime.
Deri në nisjen e kësaj fushate, gjatë vitit 2026 ishin arrestuar 16 persona të listuar, prej tyre 4 falë informacioneve të publikut.

