Të paktën 2 persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur nga shembja e një ndërtese 3-katëshe në Bruklin të Nju-Jorkut.
Sipas agjencisë Associated Press (AP), ngjarja ka ndodhur të mërkurën pasdite, më 11 nëntor, pranë një kantieri ndërtimi, ku disa persona mbetën të bllokuar nën rrënoja.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se 4 nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa në mesin e personave të prekur nga shembja janë edhe 7 fëmijë.
Rreth 250 zjarrfikës janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur mjete të specializuara, dronë dhe qen të trajnuar për gjetjen e personave të mbetur nën rrënoja.
Ekipet e shpëtimit kanë punuar për orë të tëra mes copave të betonit, tullave dhe drurit, duke hapur rrugë për të nxjerrë personat e bllokuar.
Rreth orës 18:30, sipas kohës lokale, zjarrfikësit arritën të shpëtonin një grua, e cila u nxor e gjallë nga rrënojat dhe u dërgua me barelë drejt ambulancës.
Gjatë operacionit janë shpëtuar edhe persona të tjerë, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse ka ende njerëz të bllokuar.
Kryetari i Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se operacioni i shpëtimit është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të paqëndrueshmërisë së rrënojave dhe rrezikut që paraqet ndërhyrja në to.
Ai theksoi se ekipet emergjente po përballen me një situatë që ndryshon me shpejtësi dhe kërkon kujdes të madh gjatë kërkimeve.
Ndërtesa e shembur kishte banesa në katet e sipërme dhe hapësira afariste në përdhes. Pjesa më e madhe e objektit përfundoi në një gropë të hapur për ndërtimin e një objekti tjetër.
Shembja ka dëmtuar edhe ndërtesën ngjitur, duke rrëzuar një pjesë të murit të saj dhe duke lënë të ekspozuara dhomat e banimit.
Komisioneri i Departamentit të Ndërtesave të Nju-Jorkut, Ahmed Tigani, ka bërë të ditur se në momentin e shembjes po kryheshin punime gërmimi në parcelën ngjitur.
Megjithatë, shkaku i shembjes ende nuk është përcaktuar dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.
Një zjarrfikës ka pësuar lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit ka vazhduar edhe gjatë natës.
Sipas AP-së, një banor i ndërtesës, Anderson Velez, ka treguar se bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tij, të moshës 7 dhe 2 vjeç, kishin mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Ai ka rrëfyer se bashkëshortja e kishte telefonuar duke kërkuar ndihmë, por lidhja ishte ndërprerë. Më vonë, Velez ka mësuar se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

