Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, duke vlerësuar rezultatin e Koalicionit Shqiptar, i cili, sipas tij, shënoi numrin më të lartë të votave që nga viti 2000.
“Të dielën që lamë pas u mbajtën zgjedhjet në Serbi. Në këto zgjedhje pati disa arritje historike. Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota! Ky është rezultati më i lartë i shqiptarëve që nga viti 2000. Plot 1.233 vota më shumë se në vitin 2020, kur u patën fituar tri mandate. Me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, ky rezultat ka ekuivalentin përllogaritës të 37.354 votave. Shqiptarët, janë pakica e katërt për nga popullsia në Serbi, por janë renditur të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet, së bashku me hungarezët, ndër listat e pakicave kombëtare.
Në anën tjetër, Lista Studentore doli e para, koalicioni i Vuçiqit e humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi e Daçiqi, humbën.
Ky rezultat kaq i mirë për shqiptarët vjen natyrisht si rezultat i bashkimit të të gjitha forcave në një, për çka e falenderoj secalin subjekt politik atje për vullnetin e tyre që përkundër dallimeve të bashkohen për një kauzë tejet të rëndësishme siç është jeta më e mirë, më e drejtë dhe më e dinjitetshme e shqiptarëve. Bashkimi, si kapitull i ri i përgjegjësisë së përbashkët, duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të të drejtave, me kërkesën për baraza, kundër diskriminimit e shfrytzimit, dhe në përpjekjen për jetë përparimtare në vendlindje.
Urime për suksesin, Kosova, Qeveria jonë është e hapur gjithmonë për ndihmë e për çfarëdo nevoje që shqiptarët kanë atje”, tha Kurti.

