Pre. Tet 23rd, 2026

Kthimi i ligjit për Specialen në kuvend nxit kritika dhe përplasje politike

Kthimi në kuvend për rishqyrtim i ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës ka nxitur reagime dhe kritika ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila fillimisht e hartoi dhe kërkoi miratimin e tij, ndërsa më pas i kërkoi presidentes Justina Shiroka-Pula ta rikthente për shqyrtim të mëtejshëm.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili ishte pjesë e ekipit hartues të ligjit, ka deklaruar se ai nuk përmban asnjë gabim dhe se qëndron prapa punës së bërë.

“Ligji për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj”, ka shkruar Gruda.

Ai ka thënë se ligji është konsultuar me palët përkatëse dhe se do të preferonte që debati të përqendrohej te zbatimi i tij, e jo te rihapja e diskutimeve.

“Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji”, ka theksuar ai, duke shtuar se çdo rishqyrtim në kuvend duhet të bëhet me argumente juridike dhe me synimin për të ruajtur thelbin e tij.

Pas kthimit të ligjit në kuvend, drejtuesi i iniciativës qytetare “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka mirëpritur rishqyrtimin, por ka thënë se pret që procesi të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka rikujtuar se partia e tij ishte etiketuar si “tradhtare” dhe si kundërshtare e UÇK-së për shkak se nuk mori pjesë në votimin e ndryshimeve.

Ndërsa deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar kthimin e ligjit si “turp të madh” dhe “goditje të rëndë” për Kosovën.

Kurse, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka kritikuar PDK-në për mënyrën se si e ka trajtuar procesin e hartimit dhe miratimit të ligjit, raporton RTV Dukagjini.

“Qysh është e mundur që e njëjta parti t’i marrë meritat edhe për hartimin, edhe për miratimin, edhe për kthimin e Ligjit për Specialen, edhe pse vetë garantonte se gjithçka ishte në rregull dhe këmbëngulte për miratim të menjëhershëm?!”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka vënë në pikëpyetje edhe arsyet e kthimit të ligjit, duke theksuar se presidentja ka përgjegjësi kushtetuese për ta vlerësuar atë në mënyrë të pavarur.

Kritika ka shprehur edhe analisti Imer Mushkolaj, i cili ka ngritur dyshime se zhvillimet mund të lidhen me një betejë të brendshme politike në PDK dhe me kalkulime elektorale.

“PDK-ja duhet me na tregu se çka ka ndryshuar prej datës 6 tetor kur është miratuar ligji. Këtë nuk e ka sqaruar askush prej PDK-së”, ka deklaruar Mushkolaj.

Ndërkaq, analisti Astrit Gashi e ka cilësuar kërkesën e PDK-së për kthimin e ligjit si veprim të padrejtë ndaj qytetarëve, duke rikujtuar protestat që u mbajtën për miratimin e tij.

“Kemi të bëjmë me një lojë, e cila është plotësisht jodinjtitoze e PDK-së. Është e padrejtë ndaj qytetarëve. Edhe ligjin e keq nëse kanë shkru, PDK-ja nuk është dashur të jetë ajo që kërkon tërheqjen”, ka deklaruar Gashi në Debat Plus.

Presidentja Shiroka-Pula e ktheu ligjin në kuvend pas kërkesës zyrtare të PDK-së, e cila tha se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, duke paralajmëruar se pret miratimin e tij sërish pas katër javësh.

Ndryshimet e miratuara më 6 tetor synojnë kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, ndryshimin e periudhës kohore të krimeve që mund të trajtohen, transferimin e rasteve të caktuara në Kosovë dhe përcaktimin e dënimit maksimal prej 15 vjetësh burgim.

Ligji u miratua në kohën kur mijëra qytetarë protestonin, duke kërkuar ndryshime në funksionimin e Gjykatës Speciale pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Postime të Ngjashme