Vonesat dhe mospërfundimi i punimeve në stadiumin e qytetit në Gjilan është bërë temë diskutimi edhe në mbledhjen e Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Sport.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtarja e këtij komisioni, Adriana Matoshi, ka propozuar që anëtarët e komisionit të vizitojnë stadiumin e qytetit në Gjilan, për të parë nga afër ecurinë e punimeve, për të cilat ka thënë se kanë stagnuar muajt e fundit.
Matoshi: Kanë stagnuar punimet në stadiumin e Gjilanit
“Unë kisha propozuar të shkojmë te stadiumi i Gjilanit. Pasi veç kanë filluar punimet me sa di unë, por e di që është problemi te dinamika e punimeve, ka stagnuar muajt e fundit. Ndoshta është mirë të bisedojmë edhe me ministrin paasi jemi afër Lojërave Mesdhetare, të shkojmë dhe të shohim ku janë problemet”, ka thënë Matoshi.
Ndërkaq, kryetari i komisionit, Nezir Kraki, ka thënë se vizita në stadium mund të organizohet, por për çështjet teknike dhe ecurinë e projekteve, sipas tij, përgjigjet pritet të kërkohen nga ministri, të cilin komisioni ka paraparë ta ftojë në një mbledhje.
Kraki: për anën teknike të punimeve të stadiumit, do ta ftojmë minsitrin Gashani
“Për avancimet teknikisht në stadium, është mirë me pas mundësi të shkojmë, por për teknikalitetet e ndërtimeve dhe avancimeve të projekteve me siguri ministrin tash që e kemi paraparë ta ftojmë, kemi rastin t’ia shtrojmë pyetjet konkretisht. Nuk kemi përgjigje konkrete e precize”, ka deklaruar Kraki.
Stadiumi i qytetit në Gjilan përballet me vonesa në dinamikën e punimeve, të cilat, sipas deputetes Adriana Matoshi, kanë stagnuar gjatë muajve të fundit. Çështja u ngrit në mbledhjen e Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Sport, ku u kërkua që të vizitohet stadiumi dhe të identifikohen problemet që po e pengojnë avancimin e projektit.
KosovaPress

