Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka kërkuar që vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian të përfshihen në mënyrë domethënëse në punën e Qendrës Evropiane për Reziliencë Demokratike, që nga fillimi i funksionimit të saj.
Gjatë një takimi pune të organizuar në kuadër të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, Sali theksoi se kërcënimet ndaj demokracisë nuk prekin vetëm vendet anëtare të BE-së, por edhe shtetet që synojnë anëtarësimin në këtë organizatë.
Ai përmendi manipulimin e informacionit nga aktorë të huaj, sulmet kibernetike dhe presionet ndaj mediave të pavarura dhe shoqërisë civile si sfida të përbashkëta, të cilat kërkojnë bashkëpunim dhe reagim të koordinuar.
Sipas Salit, përfshirja e Maqedonisë së Veriut në këtë qendër do t’i mundësonte vendit qasje më të shpejtë në vlerësimet evropiane për kërcënimet, mekanizmat e paralajmërimit të hershëm, ekspertizën dhe rrjetet e bashkëpunimit.
Ai vlerësoi se pjesëmarrja do të ndihmonte gjithashtu në forcimin e kapaciteteve për luftimin e dezinformimit, përmirësimin e komunikimit strategjik, rritjen e sigurisë kibernetike dhe mbështetjen e mediave të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile.
Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut nuk synon të jetë vetëm përfituese e këtij bashkëpunimi, por edhe të kontribuojë në mënyrë aktive, duke ndarë përvojat e saj në përballjen me kërcënimet hibride.
Ai bëri të ditur se kanë nisur përgatitjet e brendshme për pjesëmarrje domethënëse në këtë mekanizëm, ndërsa Ministria e Drejtësisë është caktuar si institucion koordinues. Po ashtu, janë përcaktuar edhe kontaktet për komunikim me sekretariatin e qendrës.
Në përfundim, Sali bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar se përfshirja e hershme e vendeve kandidate në mekanizmat evropianë do të kontribuonte në forcimin e sigurisë, demokracisë dhe unitetit në Evropë.

