Mar. Tet 13th, 2026

Artan Grubit i përfundon masa e arrestit shtëpiak, pritet vendimi për pasaportën

Ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, më 13 tetor i përfundon masa e arrestit shtëpiak, pasi skadon afati ligjor prej 60 ditësh nga dorëzimi i propozim-akuzës në gjykatë.

Grubi është i akuzuar në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, që lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në procesin e organizimit të lojërave elektronike të fatit. Prokuroria pretendon se vendimet e marra kanë hapur rrugën për blerjen e aparateve VLT në vlerë prej mbi 9.7 milionë eurosh, për të cilat, sipas saj, nuk kishte nevojë.

Përveç përfundimit të masës së arrestit shtëpiak, Grubi ka kërkuar edhe kthimin e pasaportës. Për këtë qëllim, mbrojtja ka ofruar si garanci pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335 mijë e 707 eurosh, për të siguruar se ai do të jetë i disponueshëm për organet e drejtësisë gjatë procedurës penale.

Gjykata Penale në Shkup ka bërë të ditur se kërkesa për garancinë i është dërguar Prokurorisë për mendim. Vendimi për pranimin ose refuzimin e saj do të merret pasi të shqyrtohet qëndrimi i prokurorëve. Deri atëherë, nuk ka vendim përfundimtar për kthimin e pasaportës.

Grubi ishte kthyer në Maqedoninë e Veriut më 23 shkurt, pasi kishte qëndruar jashtë vendit për më shumë se një vit. Ai u dorëzua në pikën kufitare të Bllacës dhe fillimisht u dërgua në burgun e Shutkës, por më pas iu caktua masa e arrestit shtëpiak, pas shqetësimeve të ngritura për sigurinë e tij.

Në rastin “Lotaria Shtetërore”, Grubi i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se vendimi përkatës ishte miratuar në mbledhjen e Qeverisë me votim unanim. Ndërkohë, procedura gjyqësore ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë vazhdon.

Postime të Ngjashme