Pre. Tet 9th, 2026

Një i dyshuar ndalohet, dy të tjerë kërkohen për tentim-vrasje në Vushtrri

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në një rast të tentim-vrasjes, i cili është raportuar më 30 shtator në Vushtrri.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni, ka konfirmuar për KosovaPress se njëri nga të dyshuarit është ndaluar, ndërsa ndaj tij është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Dy personat e tjerë të dyshuar ndodhen në arrati.

“Për tre persona ka aktvendim për fillimin e hetimeve për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’. Për këtë rast një person është i ndaluar, për të njëjtin kemi paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndërkaq dy personat tjerë të dyshuar për këtë rast janë në arrati”, ka bërë të ditur Preteni.

Ngjarja ka ndodhur më 30 shtator 2026, rreth orës 00:45, në rrugën “Xhavit Mulaku”, afër “Urës së Hekurit” në Vushtrri.

Sipas informacioneve të Prokurorisë, i dyshuari, në bashkëpunim me persona të tjerë dhe duke përdorur mjete të forta, dyshohet se ka sulmuar një person, i cili për shkak të lëndimeve ka kërkuar trajtim mjekësor.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë ende nuk janë arrestuar.

Postime të Ngjashme