Pre. Tet 9th, 2026

Gjykata Supreme sqaron statusin e lëndës për pagat e punëtorëve të NPB-së

Gjykata Supreme e Kosovës ka bërë të ditur se lënda që lidhet me bllokimin e llogarive bankare të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) është duke u trajtuar, por nuk mund të përcaktojë paraprakisht se kur do të merret vendimi.

Reagimi i gjykatës vjen pas paralajmërimit të protestës së punëtorëve të NPB-së para objektit të saj. Punëtorët po përballen me vonesa në marrjen e pagave, si pasojë e bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes.

Sipas njoftimit zyrtar, lënda është pranuar dhe regjistruar në Gjykatën Supreme më 21 gusht 2026, me numër E. Rev. nr. 49/2026, dhe aktualisht është në shqyrtim.

Gjykata ka thënë se i kupton shqetësimet e punëtorëve, por thekson se çdo rast shqyrtohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Sipas saj, përcaktimi i prioriteteve bëhet duke garantuar trajtim të barabartë dhe të paanshëm për palët.

Sa i përket afatit të vendimmarrjes, Supreme ka theksuar se nuk mund të paragjykojë se kur do të përfundojë shqyrtimi i kësaj lënde. Ajo ka siguruar se vendimi do të merret në bazë të ligjit dhe rrethanave të rastit.

Gjykata ka rikujtuar se punëtorët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin, por njëkohësisht ka bërë thirrje për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe shmangien e çdo presioni mbi procesin e vendimmarrjes.

Postime të Ngjashme