Pre. Tet 9th, 2026

Agim Shahini kërkon fokus te investimet: Kosova ka humbur gjashtë vjet pa rritje të hovshme ekonomike

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që ta vendosin zhvillimin ekonomik në qendër të angazhimeve të tyre, duke vlerësuar se vendi duhet të kompensojë kohën e humbur dhe të krijojë kushte më të mira për bizneset.

Shahini ka thënë se, pas kompletimit të institucioneve, është koha që drejtuesit e vendit të përqendrohen në punë konkrete dhe në adresimin e problemeve që kanë mbetur të pazgjidhura gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, ekonomia është fusha kryesore ku qeveria aktuale mund të dëshmojë rezultate të prekshme për qytetarët. Ai ka kritikuar mungesën e zhvillimit të hovshëm ekonomik, duke theksuar se kanë kaluar gjashtë vjet pa shënuar përparim të dukshëm në këtë drejtim.

“Ko qeveri aktuale, të vetmen shpresë për të promovuar vetën si fuqi për qytetarët është ekonomia”, ka deklaruar Shahini në televizionin Dukagjini.

Ai ka kërkuar që Qeveria t’u rikthehet investimeve dhe investitorëve, si dhe të ndërtojë bashkëpunim më të ngushtë me sektorin privat. Sipas tij, komunikimi dhe krijimi i partneriteteve me bizneset janë të domosdoshme për të nxitur aktivitetin ekonomik.

Shahini ka vënë në pah edhe varësinë e ekonomisë së Kosovës nga importi, duke kërkuar politika që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe krijojnë mundësi më të mëdha për prodhimin dhe bizneset vendore.

Postime të Ngjashme