Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se kushtet e punës në minierën e Trepçës janë të rënda dhe me rrezik për jetën e minatorëve, për shkak të pajisjeve të vjetruara dhe mungesës së investimeve.
Ai ka thënë se ngujimi i minatorëve në horizontet e punës, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, nuk ka ndodhur për herë të parë.
Jonuzi: Kushtet e punës në minierën Trepça nuk janë të mira
“Kushtet janë jashtëzakonisht të mjerueshme dhe me rrezik të plotë, për shkak të pajisjeve të stërvjetruara dhe mungesës së investimeve në pajisje përcjellëse, që ndikojnë direkt në sigurinë dhe jetën e njerëzve. Kjo nuk është hera e parë që po na ndodh mbyllja jonë. Diku vetëm këtë vit janë dy ose më shumë mbyllje që kanë ndodhur gjatë vitit, po përsëriten të njëjtat gjëra. Nuk duhet pritur që të ndodhë ndonjë tragjedi, pastaj të intervenohet. Mirëpo, reagimi ynë është shumë i drejtë, shumë i saktë, sepse kjo po e vë në qendër të vëmendjes së institucioneve, në këtë rast Qeverisë, që të mos zgjasë vetëm një ditë, dy ditë, të jetë vetëm në aspektin mediatik apo publik, pastaj disi gjërat po harrohen, sepse nuk është hera e parë që po na ndodh e njëjta gjë”, tha Jonuzi.
Jonuzi ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin hapa konkretë për përmirësimin e kushteve dhe sigurisë në minierë, duke theksuar se institucionet dhe menaxhmenti janë të njoftuar për problemet.
Jonuzi: Nevojitet reagim institucional për përmirësimin e kushteve të punës në minierë
“Është e papranueshme që institucionet nuk po reagojnë në raste të tilla. Kjo bie direkt dhe ndikon te përgjegjësit, në këtë rast Ministria e Ekonomisë. Duhet bërë një pyetje se cilat janë hapat që i kanë marrë, sepse ata janë të njoftuar direkt për problematikat që po ndodhin në ndërmarrje. Cilat janë kërkesat që kanë drejtuar menaxhmentit? Cilat janë hapat që ka marrë menaxhmenti në përmirësimin e kushteve? Sepse kjo është çështje jetike e jetës së njerëzve. Disi është një lloj imuniteti ndaj kësaj, sepse, tashmë, nuk është hera e parë që na ka ndodhur. Normalisht, shqetësimi shumë i madh është te familjet e minatorëve. Gjendja shëndetësore është normale, edhe pse ata nuk e shprehin mirë. Por dalja prej thellësisë 800 metra nën tokë, nëpër shkallë emergjente që janë në formë vertikale, thuajse vetëm ata që e kanë provuar e dinë sfidën dhe vështirësitë që janë. Ajo ndikon në shtangim të muskujve, ndikon në lodhje. Thuajse një pjesë e tyre, në momentin që dilnin, edhe ekipi mjekësor e shikonte gjendjen e tyre. Thuajse të gjithë e kishin tensionin jashtëzakonisht shumë të lartë. Ka prej tyre që kanë marrë trajtim nga ekipi mjekësore emergjente, e cila ka qenë para minierës, mirëpo nuk është ndonjë rast që është i rëndë. Edhe shpresojmë që të mos ketë ndonjë rast të rëndë, por sindikata po bën thirrje që të merren hapa konkretë në përmirësimin e kushteve, aty ku ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe sigurinë e njerëzve”, deklaroi Jonuzi.

