Dy zyrtarë korrektues nga Kosova, të akuzuar për sulm ndaj një të burgosuri në burgun Vestre në Kopenhagë, janë liruar pas seancës paraprake të mbajtur të mërkurën.
Sipas aktakuzës, incidenti ka ndodhur më 5 tetor. Dy zyrtarët dyshohet se e kanë goditur disa herë të burgosurin me grushte në fytyrë dhe trup. Njëri prej tyre dyshohet se e ka shtyrë të burgosurin në shtrat dhe më pas e ka goditur, ndërsa zyrtari tjetër dyshohet se ka vazhduar me goditje.
Të dy ishin arrestuar më 6 tetor dhe para gjykatës kanë mohuar fajësinë. Gjykata vendosi lirimin e tyre, duke vlerësuar se nuk ekziston rrezik që ata të arratisen, pasi jetojnë dhe punojnë në Danimarkë.
Ndërkohë, Shërbimi Danez i Burgjeve ka bërë të ditur se do ta rishikojë trajnimin dhe praktikën e zyrtarëve korrektues nga Kosova. Drejtoresha e këtij shërbimi e ka cilësuar rastin si incident të izoluar, duke theksuar se përvojat e deritanishme me zyrtarët kosovarë kanë qenë të mira.
Aktualisht, 15 zyrtarë korrektues nga Kosova kanë përfunduar trajnimin në Danimarkë, ndërsa 19 të tjerë janë duke u trajnuar. Rasti pritet të vazhdojë në sistemin danez të drejtësisë.

