Mër. Sht 30th, 2026

Von der Leyen sot në Tiranë, nesër vizita e saj në Prishtinë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nis sot vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor, me ndalesën e parë në Tiranë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ajo do të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Në fokus të vizitës pritet të jenë procesi i integrimit evropian dhe hapat e ardhshëm të vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Von der Leyen do të vizitojë katër vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Të enjten, presidentja e Komisionit Evropian do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu dhe kryeministrin Albin Kurti. Gjatë vizitës pritet të diskutohen zhvillimet në Kosovë dhe rruga e saj drejt integrimit evropian, si dhe mbështetja e Bashkimit Evropian për rajonin.

Pas Kosovës, von der Leyen do të udhëtojë drejt Podgoricës, ndërsa vizitën në Ballkanin Perëndimor do ta përfundojë të premten në Shkup.

Postime të Ngjashme