Partitë shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do të garojnë së bashku në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, përmes një liste të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar”.
Marrëveshja është arritur sot në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, pas takimit dhe bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare.
Në marrëveshje janë përfshirë Shaip Kamberi nga PVD, Visar Memeti nga APN, Nagip Arifi nga PD, Agim Sabedini nga PDSH, Shqiprim Musliu nga LPD, Sami Salihu nga LR, Armend Aliu nga AL dhe Naser Aziri nga UDSH.
Në takimin ku u arrit marrëveshja morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit shqiptar nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se bashkimi i subjekteve politike shqiptare në një listë të vetme synon të forcojë përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e përfaqësimit të garantuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke theksuar se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhet të kenë përfaqësim më të madh në institucionet e Serbisë.
Në fokus janë edhe çështje të tjera që lidhen me shqiptarët e Luginës, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin në institucionet publike, zhvillimin ekonomik, si dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës, simboleve dhe identitetit shqiptar.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë caktuar të mbahen më 25 tetor.

