Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku në fokus kanë qenë vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë dhe procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Kreu i AAK-së, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se mbledhja u zhvillua pak ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Gjini ka deklaruar se Aleanca mbetet e qëndrueshme në qëndrimin e saj lidhur me proceset në Hagë dhe se do të vazhdojë të kërkojë që çështja e ndihmës ligjore për ish-krerët e UÇK-së të ndahet nga interesat dhe përplasjet partiake.
Në lidhje me zgjedhjen e presidentit, Gjini ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e procesit dhe për mundësinë e hapjes së çështjeve të reja në Gjykatën Kushtetuese, duke vlerësuar se kjo mund të shtojë paqartësinë institucionale në vend.
“Zvarritja e mëtejshme e procesit për zgjedhjen e presidentit, duke shkuar drejt fundit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja, rrezikon të krijojë një paqartësi edhe më të madhe për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka thënë se Aleanca do të vazhdojë angazhimin politik për mbrojtjen e rendit kushtetues, rikthimin e normalitetit institucional dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Procesi për zgjedhjen e presidentit duhet të përmbyllet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa partitë politike ende duhet të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje.

