Milot Avdyli ka pranuar me shumë emocion ftesën e parë për t’iu bashkuar Kombëtares A të Kosovës.
Futbollisti që aktualisht luan te Celje është grumbulluar nga përzgjedhësi Franco Foda për ndeshjet e Kosovës në UEFA Nations League, duke bërë kështu hapin e radhës në karrierën e tij ndërkombëtare.
Avdyli, i cili ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Përfaqësueses së Kosovës dhe ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te U21, e ka cilësuar ftesën si një ëndërr të bërë realitet.
“Duke marrë parasysh që i kam kaluar të gjitha gjeneratat dhe kam qenë kapiten i Kosovës U21, e kam pritur mjaft mirë ftesën. Është një ëndërr që më është bërë realitet. Shpresoj shumë që do të bëjmë maksimumin në këto ndeshje”, ka thënë Avdyli.
Për 24-vjeçarin, grumbullimi me ekipin e parë ka edhe një dimension të veçantë, pasi tashmë do të ketë mundësinë të ndajë dhomën e zhveshjes me futbollistë me të cilët është rritur në grupmoshat e Kosovës dhe me disa prej të cilëve ka luajtur edhe në futbollin vendor.
“Për mua është një ëndërr me qenë me këta lojtarë. Ka edhe prej tyre që kam luajtur edhe te grupmoshat dhe në ligën e Kosovës. Jemi një kombëtare e kombinuar mirë, me lojtarë të rinj dhe ata me eksperiencë”, u shpreh ai.

