Enj. Sht 3rd, 2026

Shihemi në ‘Prishtina 2030’ – Lojërat Mesdhetare mbyllen me flamurin e Kosovë

Një moment historik për Kosovën u shënua sonte në Taranto të Italisë, ku flamuri i Lojërave Mesdhetare iu dorëzua zyrtarisht Prishtinës, nikoqire e edicionit të vitit 2030.

Përballë më shumë se 20 mijë shikuesve në stadium, u zhvillua ceremonia simbolike e kalimit të organizimit të Lojërave Mesdhetare te Kosova.

Flamurin e Lojërave Mesdhetare e pranoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke shënuar kështu edhe nisjen zyrtare të përgatitjeve për “Prishtina 2030”.

Momenti u bë edhe më simbolik kur flamuri i Kosovës u ngrit përkrah flamurit të Italisë dhe atij të Lojërave Mesdhetare. Flamurin e Kosovës e dorëzoi basketbollisti Adhurim Alijaj, ndërsa ngritja e tij u shoqërua me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës.

Gjatë ceremonisë u prezantua edhe videoja promovuese e “Prishtina 2030”, përmes së cilës u prezantuan Kosova dhe kryeqyteti si nikoqirët e ardhshëm të këtij evenimenti të madh sportiv.

Para ceremonisë së dorëzimit, flamurin e Kosovës në ceremoninë mbyllëse të “Taranto 2026” e bartën karateisti Islam Selmani dhe karateistja Fortesa Orana.

Në stadium ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, në krye me presidentin Ismet Krasniqi.

Kështu, pas përfundimit të edicionit “Taranto 2026”, vëmendja tashmë zhvendoset drejt Prishtinës, e cila në vitin 2030 do të presë sportistë nga vendet e Mesdheut.

Postime të Ngjashme