Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka shkruar në Instagram për pjesëmarrjen e tij në edicionin e 21-të të Forumit Strategjik të Bledit, ku tha se është diskutuar për avancimin e agjendës së anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Zulfa ka treguar se gjatë dy ditëve në Bled ka marrë pjesë në mëngjesin e punës me ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, si dhe në panele e takime me përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse.
Ai bëri të ditur se në margjinat e forumit është takuar edhe me Natalie Kauther, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Këshillin e Evropës në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
“Folëm për reformat dhe rrugën drejt BE-së, për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim, por mbi të gjitha për mënyrën se si mbështetja politike të kthehet në hapa konkretë”, ka shkruar Zulfaj.
Ai ka përshkruar edhe qytetin e Bledit, duke thënë se qyteza e shtrirë përreth liqenit me të njëjtin emër krijon një atmosferë ku “koha sikur ngadalësohet”.
“Në qytezën e Bledit, të shtrirë përreth liqenit që mban të njëjtin emër, koha sikur ngadalësohet. Mjafton të hedhësh shikimin dhe mendja pushon për një çast. Këtu, për dy ditë, në edicionin e 21-të të Forumit Strategjik të Bledit, morëm pjesë duke përfaqësuar Republikën e Kosovës. Mëngjesi i punës me ministrat e punëve të jashtme të Ballkanit Perëndimor, ndjekja e paneleve dhe takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse na dhanë mundësinë të shtyjmë përpara agjendën e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Në margjina të Forumit e takuam edhe Znj. Natalie Kauther, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Këshillin e Evropës në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Folëm për reformat dhe rrugën drejt BE-së, për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim, por mbi të gjitha për mënyrën se si mbështetja politike të kthehet në hapa konkretë”, ka shkruar Zulfaj

