Sht. Sht 5th, 2026

Dy ndeshje interesante sot në Superligë

Superliga e Kosovës rikthehet sot me dy ndeshjet e radhës të xhiros së katërt.

Kjo xhiro nisi dje me ndeshjen mes Prishtinës dhe Vushtrrisë, që u fitua nga kjo e para, me shifrat prej 1-0.

Sot, më 5 shtator, do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e radhës – njëra do të luhet në Podujevë, teksa tjetra në Gjilan.

Llapi do t’i bëjë konak Dukagjinit në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me fillim nga ora 16:00.

Llapi është pa pikë në tri ndeshjet e para, duke u mposhtur nga Drita, Gjilani e Prishtina.

Ndërkohë, Dukagjini ka dy barazime e një fitore.

Në Gjilan, kampionia e Kosovës, Drita do të luajë para shikuesve të vet ndaj Drenicës.

Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu ndonëse është eliminuar nga Evropa, në Superligën e Kosovës ka dy fitore nga dy ndeshje – një ndeshje, ajo ndaj Prishtinës, është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Drita fitoi ndaj Llapit e ndaj Vushtrrisë në ndeshjet e para të këtij edicioni në Superligë.

Në ndërkohë, Drenica ka dy barazime e një humbje.

Kjo ndeshje do të luhet nën dritat e reflektorëve, me fillim nga ora 19:00.

Postime të Ngjashme