Kosova ka importuar mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule nga Brazili që nga janari i këtij viti. Nga 3 shtatori, BE-ja do ta kufizojë një pjesë të eksporteve braziliane me origjinë shtazore. Shqipëria ka paralajmëruar masa të ngjashme, ndërsa Kosova ende nuk ka bërë të ditur nëse do të veprojë. Njohës të fushës së sigurisë ushqimore theksojnë nevojën që institucionet tona të ndërmarrin masa konkrete, me fokus të veçantë në mbështetjen dhe fuqizimin e fermerëve vendorë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga importi dhe të rritet prodhimi vendas i mishit.
Mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule nga Brazili ka importuar Kosova vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti. Brazili është furnizuesi më i madh i Kosovës me këto produkte. Megjithatë, nga 3 shtatori, një pjesë e eksporteve braziliane me origjinë shtazore do të përballen me kufizime në Bashkimin Evropian. Një nga arsyet lidhet me rregullat e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që përfundojnë në zinxhirin ushqimor.
Shqipëria ka njoftuar se do të zbatojë masa të ngjashme nga e njëjta datë. Mirëpo, Kosova, deri më tani, nuk ka njoftuar për ndonjë masë.
Njohës të fushës së sigurisë ushqimore theksojnë nevojën që institucionet tona të ndërmarrin masa konkrete, me fokus të veçantë në mbështetjen dhe fuqizimin e fermerëve vendorë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga importi dhe të rritet prodhimi vendas i mishit.
“Është një industri shumë komplekse me shumë, si të themi, pjesëmarrës të involvuar, shumë protagonistë dhe lidhet pak edhe me infrastrukturën tokësore, pastaj me varshmërinë e ushqimeve. Në një mënyrë, me i identifikuar regjionet në Kosovë që këto kushte më së miri t’i plotësojnë, duke u referuar pak edhe me sukseset e fermerëve në të kaluarën që kanë realizuar grantet në blegtori dhe atyre me iu dhënë përparësi, duke identifikuar edhe zonat, si të themi, më stabile të tokës, të ujit, të reshjeve dhe pastaj njëkohësisht me mendua ndërtimin e disa thertoreve”, tha Afrim Hamidi, profesor në fushën e sigurisë ushqimore.
Por një tjetër qëndrim u dha nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit.
“Është një veprim gjeopolitik me qëllim të mbrojtjes së tregut të brendshëm të Bashkimit Evropian, sepse arsye të tjera nuk ka. Brazili bashkë me Argjentinën njihen si dy shtete të cilat kanë hapësira të pakufizuara për kultivimin e gjedhëve. Ne e dimë që për një gjedhë nevojitet minimumi një hektar hapësirë, sipërfaqe ose livadh, dhe këto kushte, këto parakushte, Argjentina dhe Brazili i përmbushin”, tha Selatin Kaçaniku nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore që importohen nga vendet e treta nuk duhet të vijnë nga kafshë të trajtuara me produkte antimikrobiale për nxitjen e rritjes ose rritjen e prodhimit.
Lidhur me masat, RTK ka pyetur edhe Ministrinë e Bujqësisë, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

