Shtëpia botuese “Luarasi” ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, lidhur me negociatat për çmimet e teksteve shkollore dhe daljen e librave në shitje.
Çeku ka deklaruar se negociatat me shtëpitë botuese janë drejt përfundimit dhe se brenda ditës pritet të caktohet edhe vlera e subvencionimit, me qëllim që prindërit të kenë kohë të mjaftueshme për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore para fillimit të vitit të ri shkollor.
“Ne ishim duke i negociuar çmimet me shtëpitë botuese dhe në atë moment dolën në shitje librat. Kjo është shkelje, nuk bën kështu, sepse nuk ka përfunduar as negociimi, as përcaktimi i çmimeve, as vlera e subvencionit”, ka deklaruar Çeku.
Ai ka paralajmëruar se për këtë çështje ministria do t’u drejtohet organeve përgjegjëse, duke thënë se prindërit duhet të kompensohen nga ata që kanë bërë shkeljen.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar shtëpinë botuese “Luarasi” për të marrë qëndrimin e saj lidhur me deklaratat e ministrit Çeku. Përgjigjet e saj kanë qenë të ashpra ndaj Ministrisë së Arsimit.
E pyetur nëse ka qenë në negociata me MASHT-in për përcaktimin e çmimeve të teksteve dhe librave shkollorë për këtë vit, si dhe kur kanë nisur këto negociata, “Luarasi” ka dhënë këtë përgjigje:
“Po, na kanë ftuar më 18 gusht, për takim në datën 19 gusht. Në komisionin për negocim kanë qenë tri zonja, ka kryesuar Anita Kadriu, drejtoresha për arsim parauniversitar”.
Në lidhje me atë nëse ka pranuar kërkesë nga MASHT-i për negocim apo përcaktim të çmimeve dhe nëse marrëveshja për çmimet dhe vlera e subvencionimit kishte përfunduar në momentin kur librat dolën në shitje, “Luarasi” është përgjigjur:
“Një kerr pyetje, për të cilat nuk mund kush të gjej përgjigje. Kjo gjendje ka vetëm një shkaktar – ministria e arsimit. Ministria e arsimit e cila vazhdon të sjellët njësoj sikur nën udhëheqjen e Nagavcit. Udhëheqje e dobët, udhëheqje në shkelje të ligjit në çdo hap. Ligji e obligon ministrinë që 30 ditë para fillimit të vitit shkollor të lajmëroj shtëpitë botuese se për sa libra kanë nevojë shkollat, që do të thotë, më së largëti më 31 korrik 2026 është dashtë ta publikoj katalogun e librave, ku shihen të gjitha. Mirëpo, ka më shumë se 5 vite që këto afate shkelen. Madje, edhe metoda shumë e përparuar e shpërndarjes së teksteve shkollore nëpër shkolla para 1 shtatorit është shkelur nga kjo ministri. Ky ndryshim/ shkelje nga minsitria e arsimit për furnizim të nxënësve me tekste shkollore është bërë për shkak të nevoja meskine dhe të kundërligjshme të minsitres Nagavci. Ndryshimin është përpjekur ta mbuloj me gënjeshtrën se gjoja në të kaluarën janë shpenzuar shumë para, por e vërteta ka qenë dhe është krejt ndryshe – e kundërta, mimistria nën udhëheqjen e Nagavcit a shpenzuar m[ shumë para për libra. Tani, kërkojnë negocim çmimesh? Për çka? Neve na ka nxjerr në treg të hapur dhe kërkon negocim çmimesh. Në bazë të cilit ligj? Në bazët të cilës logjikë? Ky hap nuk është gjë tjetër veçse populizëm, se gjoja po kujdesem për buxhetin e familjeve. Po të ishte se kujdesen për buxhetin e familjeve, është dashur të vazhdohet praktika e shpërndarjes së teksteve në shkolla, e jo të maltretohet një shtet i tërë për sigurim të disa librave”, ka deklaruar shtëpia botuese për Insajderin.
Ndërkaq, lidhur me deklaratën e ministrit Çeku se dalja e librave në shitje gjatë kohës së negociimit përbën shkelje, si dhe paralajmërimin se MASHT-i do t’u drejtohet organeve përgjegjëse, “Luarasi” është përgjigjur:
“Hahahahah! Shkelje të kujt? Të cilit ligj? Të cilës marrëveshje? Në anën tjetër – ministria po, ka shkelur ligjin për botimin e teksteve shkollore dhe të gjitha praktikat pozitive të këtij procesi”, deklarua nga Luarasi për Insajderin.
Përplasja mes Ministrisë së Arsimit dhe shtëpisë botuese “Luarasi” zhvillohet vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të përmbyllen negociatat dhe kur do të ekzekutohen pagesat për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore

