Mër. Gus 26th, 2026

Kosova me shtatë xhudistë në “Taranto 2026”, synohen medaljet

Pas paraqitjeve në disiplina të ndryshme sportive, radha në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” i ka ardhur xhudos, sportit që i ka sjellë Kosovës ndër sukseset më të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Xhudistët kosovarë do të garojnë më 28 dhe 29 gusht në Taranto të Italisë, me synimin për të siguruar medalje në këtë ngjarje të rëndësishme sportive, ku Kosova do të përfaqësohet nga shtatë xhudistë, katër femra dhe tre meshkuj.

Në konkurrencën e femrave do të garojnë Erza Muminoviq (-48 kg), Fatjona Kasapi (-52 kg), Flaka Loxha (-57 kg) dhe Laura Fazliu (-63 kg). Ndërsa te meshkujt, Kosovën do ta përfaqësojnë Akil Gjakova (-73 kg), Dardan Cena (-81 kg) dhe Shpati Zekaj (-100 kg).
Në garat e xhudos në Taranto do të marrin pjesë gjithsej 162 garues nga 22 shtete, prej tyre 84 meshkuj dhe 78 femra.

Ekipi kosovar do të udhëhiqet nga kryemjeshtri Driton Kuka dhe trajnerja Majlinda Kelmendi. Në delegacion është edhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

Pjesë e delegacionit janë edhe Zymer Zeka, në rolin e sparing-partnerit, si dhe Fatos Tabaku dhe Distria Krasniqi, të cilët marrin pjesë në kuadër të përfaqësimit të tyre në bordin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Xhudistët kosovarë synojnë të vazhdojnë traditën e sukseseve të këtij sporti dhe t’i sjellin Kosovës medalje të reja nga “Taranto 2026”.

KosovaPress

Postime të Ngjashme