Të dashur qytetarë,
Të dashur besimtarë,
Motra dhe vëllezër,
Sot është 12 Rebiul Evveli, dita në të cilën përkujtojmë lindjen e Pejgamberit Muhamed, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.
Kjo është një ditë e veçantë për besimtarët myslimanë dhe një rast për të kujtuar jo vetëm lindjen e njeriut që Allahu e zgjodhi për t’ia përcjellë njerëzimit mesazhin e fundit hyjnor, por edhe misionin e madh që ai realizoi gjatë jetës së tij.
Pejgamberi Muhamed a.s. erdhi me një mesazh që në themel kishte besimin, mëshirën, drejtësinë, paqen dhe respektin për dinjitetin e njeriut. Jeta dhe vepra e tij na mësojnë se besimi nuk kufizohet vetëm në fjalë, por duhet të dëshmohet përmes sjelljes, mirësisë, drejtësisë, faljes dhe përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit.
Edhe te ne, në trojet tona, dashuria dhe respekti për Pejgamberin a.s. janë ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi. Përmes mevludeve, salavateve, ilahive, ligjërimeve dhe tubimeve fetare, të parët tanë kanë kultivuar një lidhje të veçantë shpirtërore me Pejgamberin a.s. dhe ua kanë përcjellë brezave të rinj dashurinë për jetën, misionin dhe mësimet e tij.
Kjo traditë e bukur vazhdon të jetojë edhe sot, duke na kujtuar se respekti dhe dashuria për Pejgamberin a.s. nuk duhet të mbeten vetëm në fjalë e ceremoni, por duhet të shndërrohen në vlera që i jetojmë çdo ditë: në familje, në marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe në shoqërinë ku jetojmë.
Sot kemi nevojë më shumë se kurrë për harmoni, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Kemi nevojë të kultivojmë paqen, të forcojmë solidaritetin, të kujdesemi për mirëqenien e familjeve tona dhe të punojmë së bashku për një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë.
Le të jetë kjo ditë një mundësi për të reflektuar mbi jetën dhe veprën e Pejgamberit Muhamed a.s. dhe për ta marrë shembullin e tij si udhërrëfyes që na edukon, na fisnikëron dhe na afron me njëri-tjetrin.
Në këtë ditë të veçantë, uroj që në familjet dhe shtëpitë tona të ketë paqe e begati, në zemrat tona dashuri e mirësi, ndërsa në shoqërinë tonë më shumë harmoni, mirëkuptim dhe respekt.
Gëzuar e me mbarsi 12 Rebiul Evvelin!
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava

