Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi një tërmet me magnitudë 7.7 goditi Indonezinë herët të shtunën, njoftoi guvernatori i provincës së Nusa Tenggarës Lindore, Emanuel Melkiades Laka Lena.
Sipas guvernatorit, viktimat humbën jetën në gjumë, pasi ndërtesat dhe rrënojat u shembën mbi ta.
Ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar për të nxjerrë personat që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja, ndërsa pas tërmetit janë regjistruar dhjetëra lëkundje të tjera.
Tërmeti goditi ishullin Flores pak para orës 05:00 sipas kohës lokale dhe kishte një thellësi prej rreth 15 kilometrash, bëri të ditur Agjencia Indoneziane për Meteorologji, Klimatologji dhe Gjeofizikë.
Në zonë janë ndjerë edhe pasgoditje të fuqishme, përfshirë një me magnitudë 6.1, shkruan BBC.
Pas tërmetit u lëshua një paralajmërim për cunami, i cili u hoq rreth tre orë më vonë.
Pamjet e publikuara nga porti i Maumeres tregojnë momente paniku, teksa pjesë të mëdha betoni u shkëputën nga ndërtesa e terminalit dhe ranë mbi pasagjerët që prisnin të hipnin në një traget ndërishullor. Disa persona përfunduan në det pasi u shemb edhe kalata lidhëse me anijen.
Pas paralajmërimit për cunami, dhjetëra njerëz u panë duke u larguar nga zona drejt pjesëve më të larta të ishullit, shumë prej tyre me motoçikleta.

