Hfz. Shpend Fidani e falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe e njohu atë me punën dhe aktivitetet që zhvillohen në kuadër të Qendrës së Studentëve, e cila funksionon në kuadër të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Myftiu Tërnava përgëzoi hfz. Shpend Fidanin për punën dhe arritjet e tij në Sarajevë, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë ndërmjet institucioneve të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe atyre të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Hfz. Shpend Fidani është pjesë e familjes së njohur shqiptare Fidani, me origjinë nga Gostivari, anëtarët e së cilës prej kohësh jetojnë dhe veprojnë në Sarajevë. Familja Fidani është e njohur për veprimtarinë e saj në fushën e biznesit dhe të ndërmarrësisë në Sarajevë, por edhe për kontributin e saj në arsim dhe në jetën shoqërore e kulturore. Ndër vite, kjo familje ka nxjerrë kuadro të dëshmuara e të arsimuara, të cilët sot e përfaqësojnë me dinjitet dhe janë shembull i punës së përkushtuar dhe i sukseseve të arritura.

