Pre. Kor 31st, 2026

LVV-ja pritet të takohet me Abdixhikun, “s’ka marrëveshje në parim me LDK-në”, thotë Nagavci

Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se në takimin e kryetare së kuvendit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, është dakorduar që seanca konstituive e legjislaturës së 11-të të mbahet më 6 gusht.

“U dakorduam që, sipas ftesës, më 6 gusht të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së 11-të, sipas rendit të ditës i përcaktuar me rregullore”, tha Nagavci.

“Si subjekt që i ka fituar zgjedhjet, jemi të gatshëm dhe mezi presim të konstituojmë të gjitha institucionet dhe të vazhdojmë punën me kompetenca të plota në legjislaturën e 11, në Qeverinë e Kosovës dhe pastaj me punën e presidentit apo presidentes së zgjedhur brenda afatit të caktuar”

Duke komentuar deklarimin e Abdixhikut për vazhdim të bisedimeve me Kurtin pas mbylljes së punimeve të kuvendit të LDK-së, Nagavci tha se ky vendim është i mirëpritur.

“Ne natyrisht mirëpresim këtë vendim të kuvendit të LDK-së dhe presim të vazhdojnë diskutimet dhe dakordimi sepse vendi ka nevojë që sa më parë të vazhdojë puna”, tha ajo.

Se a pritet të ketë takim sot mes Kurtit dhe Abdixhikut, ajo tha: “Kjo çështje vendoset mes kryetarit të LVV-së dhe atij të LDK-së”.

“Unë besoj që në afatin më të shkurtër të mundshëm do të vazhdojnë bisedimet”.

Ajo tha se “nuk ka marrëveshje në parim me LDK-në”.

“Deri tani nuk ka asnjë dakordim për pozita të caktuara, por unë besoj që më e rëndësishmja është vullneti për t’i ofruar vendit institucione”

Postime të Ngjashme