Pre. Kor 31st, 2026

Haxhiu: Gjithçka gati për seancën konstituive të 6 gushtit

U.d. së presidentes së Kosovës dhe kryetarja e kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se janë përmbyllur përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës XI, e cila do të mbahet më 6 gusht, në orën 10:00.

Haxhiu po ashtu ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja përgatitore me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare, ku është arritur pajtim i plotë për të gjitha çështjet organizative dhe procedurale të parapara me rregulloren e kuvendit.

Postimi i saj i plotë:

“Sot u mbajt mbledhja përgatitore me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare të Legjislaturës së XI, në prag të seancës konstituive të kuvendit. Gjatë takimit u arrit pajtim i plotë për të gjitha çështjet organizative dhe procedurale të parapara me rregulloren e kuvendit.

Siç kam njoftuar tashmë, seanca konstituive do të mbahet më 6 gusht, në orën 10:00, me rend dite që përfshin formimin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, shqyrtimin e raportit të tij, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të kuvendit. Ndërkohë, përgatitjet administrative kanë përfunduar dhe regjistrimi i deputetëve do të zhvillohet më 3, 4 dhe 5 gusht.

I falënderoj përfaqësuesit e subjekteve politike për bashkëpunimin dhe për seriozitetin me të cilin i shqyrtuan çështjet.”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj Facebook.

KLIKO KETU PER POSTIMIN E PLOTE

Postime të Ngjashme