Hën. Kor 27th, 2026

Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj Milorad Gjokoviqit për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të rihapet shqyrtimi gjyqësor në rastin penal ndaj Milorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare, .

Gjyqtarja Donika Shala-Abdyli ka bërë të ditur se shqyrtimi gjyqësor, i përfunduar më 21 korrik 2026, do të rihapet për plotësimin e procedurës.

Ajo ka dhënë edhe arsyetimim për rihapjen e shqyrtimit qyqësor.

“Është e nevojshme që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës, andaj më datë 27 korrik 2026 marr aktvendim, shqyrtimi gjyqësor në çështjen penale i përfunduar datë 21 korrik 2026 hapet sërish. Data e shqyrtimit gjyqësor të rihapur do të caktohet në koordinim me palët”, tha Shala-Abdyli.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Gjokoviqi dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatra të tjera të këtij rajoni, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masa të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.

Gjokoviqi akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrim të shtëpive të popullsisë civile shqiptare.

Në aktakuzën e përpiluar më 23 qershor 2023 thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim, përmes rrugës rajonale Pejë–Mitrovicë, kishin hyrë forcat e rregullta ushtarake, ndërsa nga ana perëndimore e fshatit, në drejtim të fshatit Vitomiricë, kishin hyrë grupe paramilitare të përziera edhe me pjesëtarë të njësive speciale ushtarake.

Sipas aktakuzës, këto forca kishin filluar të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile, me ç’rast ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.

Po ashtu, tre civilë të plagosur nga të shtënat, A.G., H.G. dhe M.G., fillimisht ishin transportuar në Spitalin e Pejës, ndërsa më pas, sipas aktakuzës, ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.

Ndërkaq, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., dyshohet se ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk janë gjetur dhe ata vazhdojnë të figurojnë si persona të zhdukur.

Postime të Ngjashme