Pre. Kor 17th, 2026

Hamza: Kosovës i duhen urgjentisht institucione të reja, synimi mbetet BE dhe NATO

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, priti të premten në takim ambasadorin jo-rezident të Republikës së Irlandës për Kosovën, Ragnar Almqvist, me të cilin diskutoi për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Irlandës.

Sipas një njoftimi të PDK-së, Hamza shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, duke vlerësuar edhe prioritetet e këtij shteti si kryesues i Këshillit të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se Irlanda mbetet një model frymëzues për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën politike pas zgjedhjeve dhe nevojën për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të vendit.

Hamza theksoi se PDK mbështet avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian dhe kërkon që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Në fund të takimit, ai ritheksoi se orientimi strategjik i Kosovës mbetet i pandryshuar, me synim anëtarësimin e plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Postime të Ngjashme